29 nentor 2013  – Festa e Pavarësisë në Vlorë ndan të majtët me të djathtët. Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar paraditen e djeshme në Vlorë, mazhorancës i është bashkuar Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur orën 16.00 të pasdites së djeshme, pikërisht në orën kur në vitin 1912 është ngritur flamuri, për të kryer homazhe në memorialin e Ismail Qemalit në Tiranë. Gjatë festimeve të djeshme të organizuara me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë ka rënë në sy “distancimi” mes kreut socialist, Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. 
CEREMONIA 
Rreth orës 11:00 u zhvillua ceremoniali i ngritjes së flamurit, ndërkohë që më pas u vendosën kurora dhe u bënë homazhe në memorialin e Ismail Qemalit, në “Lulishten e Flamurit”, ku prehen edhe eshtrat e tij. Presidenti Bujar Nishani ka vizituar familjen e patriotit vlonjat Osman Haxhiu. Gjatë kësaj vizite, Presidenti Nishani shoqërohej nga kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dhe drejtues të tjerë vendorë. “Kisha dëshirë të nderoj kujtimin e atyre që kanë dhënë shumë për Shqipërinë dhe familja juaj është një familje tradicionale me vlera të larta”, tha gjatë bashkëbisedimit me pasardhës të patriotit Osman Haxhiu, Presidenti Nishani. Pas ngritjes së flamurit dhe homazheve, kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi praninë e qytetarëve nga të gjitha trevat në Vlorë, për të festuar me të njëjtën mirënjohje, aktin e madh të Ismail Qemalit dhe gjithë patriotëve të tjerë. “Kemi hedhur një hap të rëndësishëm në këtë 1-vjetor të parë të 100 viteve që kanë hyrë tashmë për shtetin tonë, i cili po bëhet çdo ditë edhe më evropian. Është kënaqësi që jemi bashkë këtu me Kryeministrin Rama, për modernizimin e këtij shteti dhe për plotësimin e aspiratës së të gjithë qytetarëve tanë për një Shqipëri evropiane, për një Vlorë evropiane”, deklaroi Meta. Kryeministri Edi Rama kujtoi se 28 Nëntori i këtij viti është i pari për të si deputet i Vlorës dhe si e tillë është një ditë shumë emocionuese. “Për ne, që jemi këtu, është një ditë jo vetëm për t’u përulur përpara atyre që themeluan shtetin shqiptar, por edhe për të rinënvizuar angazhimin e plotë që ndjejmë në këtë ditë dhe në këto vite të para të 100-vjetorit të dytë të shtetit, ta çojmë Shqipërinë përpara, ta çojmë shtetin shqiptar përpara”, theksoi Kryeministri Rama. 
KRYEBASHKIAKU 
Distancimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Shpëtim Gjika është parë që në fillim të aktiviteteve ku të dy liderët kanë qëndruar larg njëri-tjetrit. Pas ngritjes së flamurit dhe vendosjes së kurorave pranë varrit të Ismail Qemalit, nuk ka pasur asnjë fjalim nga asnjë prej liderëve si nga Gjika ashtu edhe nga Rama. Më tej Rama është larguar sëbashku me personalitete të tjera duke u ulur në një prej bareve pranë teatrit në pritje të hapjes së konkursit për shëtitoren e Vlorës. Gjika ka hyrë shumë më herët se Rama në teatër i shoqëruar nga nënkryetari i bashkisë, ndërsa Rama ka mbërritur në fund. Kjo “ftohtësi” ka kulmuar në drekën e shtruar nga ana e qeverisë në Radhimë ku as kreu i bashkisë Shpëtim Gjika dhe as ndonjë pjesëtar i stafit të bashkisë nuk ka qenë i pranishëm, në një kohë që kanë qenë të pranishëm gati të gjithë të ftuarit përfshirë Presidentin Nishani dhe bashkëshorten e tij. Nuk dihet nëse ka qenë Gjika ai që e ka bojkotuar drekën apo nuk ka pasur ftesë. 
KONKURSI PER LUNGOMAREN 
Në kuadër të aktiviteteve për 101-vjetorin e Pavarësisë, dje në teatrin “Petro Marko” të Vlorës është shpallur konkursi ndërkombëtar për vijën bregdetare. Gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama falenderoi specialistët e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që realizuan përgatitjen e këtij konkursi, që pritet të bëhet konkret në 2015-ën. “Ky projekt, hapet në vitin e parë të 100-vjetorit të dytë të Pavarësisë së Shqipërisë, por nga ana tjetër edhe në vitin e parë të udhëtimit të madh drejt integrimit Evropian. Ti japim bregdetit një përmasë të re zhvillimi”, tha Rama.

 

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/vlore-rama-gjika-evitojne-njeri-tjetrin-bashkiaku-mungon-ne-dreken-ne-rradhime-161058.html