Gjatë vizitës së tij në Vlorë, ku u krye procesi i votimit për delegatët e Kongresit të Partise Socialiste, kryeministri Edi Rama u ndal për të inspektuar punimet që po kryhen për shëtitoren ose lungomaren e qytetit bregdetar. Ai ka publikuar në Facebook një album me foto të bëra gjatë inspektimit të punimeve në bregdetin e Vlorës, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, dhe kryebashkiaku vlonjat Dritan Leli.
Në një deklaratë në rrjetin social, kryeministri Rama bën me dije se, po punohet me intensitet të lartë për zbatimin e projektit të shëtitores në vijën bregdetare të Vlorës. "Punohet me intensitet për shëtitoren në vijën bregdetare të Vlorës, ku pas zgjerimit të brezit ranor, po ndërtohen korridori këmbësor i pishave, rruga e re, korsia e biçikletave, këndet sportive si edhe këndet komunitare përgjatë anës së banuar të vijës bregdetare," – shkruan kryeministri Rama.





