TIRANË, 24 tetor 2013 – Lëkundje të lehta toke në det brenda Gjirit të Vlorës, përballë zonës turistike të Radhimës. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar më 24 tetor 2013, ora 4:47:52 GMT ose ora 6:47:52 (koha e Shqipërisë +2 GMT), një tërmet të lehtë me forcë M=3 dhe me epiqendër në thellësinë 19 km. Sipas departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit publik Politeknik të Tiranës, dukuria tektonike ka ndodhur në Gjirin e Vlorës, në koordinatat 40.38°V, 19.47°L (shih etiketën në hartën nr. 1, pika e kuqe). Më saktësisht, ngjarja sizmike ka rënë në det, përballë rezidencës “Cekodhima” dhe fshatit turistik “Olympia” në largësi 1 km në vijë ajrore; më në jugperëndim të molit të Radhimës në largësi 3 km në vijë ajrore (shih hartën nr. 2, pika e kuqe). Lëkundjet e tokës vetëm sa kanë shkaktuar për një çast një dallë sërf-i, por nuk janë ndier në bregdet. Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





