Në takimin zyrtar me Shefin e diplomacisë spanjolle, ministri i Jashtëm Bujar Osmani ka përdorur vetëm gjuhën shqipe edhe pse dihet se cila gjuhë është zyrtare për përdorim ndërkombëtar.
Akuza, vjen nga VMRO-DPMNE-ja të cilët thonë se me këtë shkelet Kushtetuta dhe Marrëveshja Kornizë. Opozita kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
“Kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, organet kompetente menjëherë të ngrejnë procedurë dhe përfundimisht në Maqedoni të ngrihet procedurë adekuate për vepra që cënojnë imazhin e vendit. Osmani të dorëhiqet nga pozita ministër i Jashtëm dhe është më e pakta që mund ta bëjë pas këtij veprimi joshtetëror dhe nënçmues për qytetarët e Maqedonisë”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
VMRO-DPMNE thotë se Qeveria LSDM-BDI dhe Bujar Osmani si ministër i Jashtëm, shkelin vlerat kombëtare, duke i bërë thirrje Osmanit të nisë ta respektojë vendin dhe në komunikimet ndërkombëtare të prononcohet në gjuhën zyrtare maqedonase.
Akuzat e VMRO-DPMNE-së kanë të bëjnë për konferencën e përbashkët për shtyp gjatë vizitës njëditore të Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Hoze Manuel Albarez, të premten më 14 prill në Shkup, ku u nënshkrua edhe memorandumi I bashkëpunimit ndërmjet RMV-së dhe Spanjës për zhvillimin e bashkëpunimit në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.