Prej muajsh, Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Izraelin që të mos lejojë që lufta në Gazë kundër Hamasit të mbështetur nga Irani, të përhapet kundër Hezbollahut në Liban dhe, edhe ndaj vetë Iranit. Por ndërsa Izraeli po lufton në Liban dhe është zotuar për hakmarrje ndaj sulmeve me raketa të Teheranit, shumë druhen se ky moment ka ardhur. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, i hedh një vështrim mundësisë së përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe mundësisë së përfshirjes së drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në luftë.
Shpërthimet në Bejrut të mërkurën, ishin pjesë e asaj që Izraeli thotë se janë sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.
Në Damask, media shtetërore siriane njoftoi se tre civilë u vranë gjatë sulmeve izraelite të martën. Të tjera sulme u njoftuan në kryeqytetin sirian të mërkurën.
Të martën, Irani lëshoi 180 raketa ndaj Izraelit, duke dëmtuar një shkollë në qytetin izraelit të Hod Hasharonit dhe duke vrarë të paktën një person në Bregun Perëndimor.
Teherani thotë se sulmi u krye si hakmarrje për vrasjen nga izraelitët të udhëheqësve të Hezbollahut, Hamasit dhe ushtrisë iraniane. Ndërsa Izraeli po përgatitet të kundërpërgjigjet, të mërkurën Presidenti Joe Biden diskutoi mbi konfliktin me udhëheqësit e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës.
“Ne do të vazhdojmë diskutimet me izraelitët se çfarë do të bëjnë, por të shtatë jemi dakord që ata kanë të drejtë të përgjigjen, por përgjigja duhet të jetë proporcionale”, tha ai.