Kryetari i shoqatës së eksportuesve të Shqipërisë, Edvin Prençi, tregon se këtë vit rënia e nivelit të monedhës euro me rreth 16 përqind kundrejt lekut shqiptar, ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rënien e eksporteve. Ai shton se, që nga viti 2016 deri sot, euroja është zhvlerësuar në masën 35 përqind dhe kjo reflekton tek bizneset, që kontratat i kanë në monedhën europiane. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, dhjetëmujori i këtij viti shënoi një rënie të eksporteve në masën minus 8.6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënien më të madhe e kanë grupmallrat tekstil dhe këpucë, prodhime druri dhe letre si dhe prodhime kimike e plastike.

“Besoj që kursi i këmbimit të euros është një problematikë ekonomike e të gjithë eksportuesve shqiptarë. Një luhatje kaq e frikshme dhe kaq drastike patjetër që ka sjellur ngërç dhe ka humbur konkurueshmërinë e të gjithë bizneseve eksportuese. Kemi një luhatje rreth 16-20 % të kursit të këmbimit dhe kjo çon në limitin e mbijetesës së shumë bizneseve. Por, nga ana tjetër ka ndikuar në rënien e porosive të ardhura nga vendet e tjera duke humbur konkurueshmërinë”.

Vetëm sektori fason, që punon me material porositës nga jashtë, ka rreth 75 mijë të punësuar dhe zë rreth 40 përqind të eksporteve shqiptare. Administratorja e kompanisë së prodhimit të këpucëve “FG WALK”, Anila Golemi, thotë se për shkak të zhvlerësimit të madh të euros kompanitë shqiptare, që punojnë me material porositësi, po bëhen gjithnjë e më pak të konkurueshëm në tregjet e huaja.

“Ne nuk mund të ruajmë një stabilitet financiar dhe operacione të vazhdueshme, nuk mund të shpërblejmë ose të rrisim pagesat e punonjësve dhe bëhemi më pak konkurues. Kjo lokalisht por patjetër edhe në tregun ndërkombëtar. Në sektorin e prodhimit të këpucëve kemi vënë re se shumë kompani, që kanë punu prej dekadash në Shqipëri, po spostohen drejt tregjeve më kompetitive”.

Nëse rënia e eksporteve do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, thotë zoti Prençi, kjo do të shoqërohet me efekte sociale si shkurtimi i vendeve të punës dhe mbyllja e bizneseve më pak konkurues.

“Përtej impaktit ekonomik, ajo më e frikshmja është se ne po shkojmë drejt impaktit social me njerëz që do të dalin nga sistemi i punës, gjë që është e vështirë për t’i integruar më pas në sektorë të tjerë”.

Përfaqësues të biznesit fason kanë mendime të ndryshme përsa i përket daljes nga situata e vështirë ku kanë rënë muajt e fundit. Kontratat e tyre me kompanitë e huaja janë në euro, ndërsa pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e brendshme në monedhën vendase.

Pas më shumë se 30 vitesh nga krijimi i tyre, bizneset që punojnë me material porositësi për kompanitë më të njohura europiane tashmë po rrezikojnë të mbyllin ciklin e tyre, çka po i shtyn të kërkojnë rrugë të tjera për t’u berë konkurues në tregjet e huaja./ VOA