– Nuk është hera e parë kur incidentet në fushat e futbollit përfshijnë edhe njerëz të politikës
– Avokati i Rroshit nuk është lejuar të kontaktojë me të, duke shkelur procedurat dhe të drejtat më elementare të çdokujt që ndalohet nga policia
– Arrestimi i kryebashkiakut, i zgjedhur si kandidat i PS në bastion të së djathtës, rrezikon të marrë ngjyra të forta politike në prag të fushatës së zgjedhjeve të qershorit
UASHINGTON, 11 MARS 2013 – “Episode, ku njerëz të veshur me pushtet ndërhyjnë dhunshëm në mjediset sportive, janë regjistruar shpesh, por asnjëherë nuk janë shoqëruar me një reagim të tillë të shpejtë të autoriteteve të sigurisë si në rastin e kryetarit të bashkisë së Kavajës”, vërente të hënën, më 11 mars 2013, “Zëri i Amerikës”.
Nuk është hera e parë kur incidentet në fushat e futbollit përfshijnë edhe njerëz të politikës, thotë kjo medie publike amerikane.
Por ajo çfarë ka ndodhur gjatë pushimit të ndeshjes Besa Tirana ka marrë përmasa të tjera.
Pavarësisht deklarimeve të kundërta mes palëve, kryebashkiaku Roshi ka përfunduar në komisariatin e qytetit të tij.
Rroshi është mbajtur aty për disa orë, ndërsa avokati i tij ka deklaruar se nuk i është lejuar të kontaktojë me klientin e vet, duke folur për shkelje të procedurave dhe të të drejtave më elementare të çdokujt që ndalohet nga policia, tha avokati i cituar nga “Zëri i Amerikës”.
Situata para komisariatit të Kavajës është acaruar nga grumbullimi i disa dhjetëra personave të cilët kërkonin lirimin e zotit Roshi.
Nga Tirana janë dërguar njësi të forcave speciale të cilat kanë bërë shpërndarjen e protestuesve. Këta të fundit kanë deklaruar se ndaj tyre janë përdorur shkopinjtë e gomës, ndërsa disa janë shfaqur të gjakosur para kamerave të televizioneve shqiptare.
Lidhur me incidentin gjatë ndeshjes policia ka arrestuar edhe 7 persona të tjerë, disa prej të cilëve punonjës së bashkisë së Kavajës.
Arrestimi i kryebashkiakut Rroshi, i zgjedhur si kandidat i partisë socialiste gjatë zgjedhjeve të 2011, duke fituar në një qytet të konsideruar bastion i së djathtës, rrezikon të marrë ngjyra të forta politike në prag të fushatës së zgjedhjeve të qershorit, paralajmëron Uashingtoni.
Episode të tilla të ngjashme, ku njerëz të veshur me pushtet ndërhyjnë dhunshëm në mjediset sportive, janë regjistruar shpesh, por asnjëherë nuk janë shoqëruar me një reagim të tillë të shpejtë të autoriteteve të sigurisë, e mbyll njoftimin e tij “Zëri i Amerikës".
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrahu”/





