Në Shqipëri, forcimi i monedhës vendase kundrejt euros ka sjellë një valë shqetësimi në radhët e bizneseve, që preken nga dobësimi i monedhës europiane, veçanërisht në sektorin e eksporteve. Autoritetet zyrtare e shohin forcimin e lekut të lidhur me disa tregues pozitivë në ekonomi, si rritja e eksporteve apo e investimeve të huaja. Mirëpo një pjesë e studiuesve të zhvillimeve ekonomike në vend, shohin tek forcimi i monedhës vendase, një ndikim të informalitetit në ekonomi dhe parasë së zezë. Ata argumentojnë se këto zhvillime në ekonomi, që sjellin më shumë euro në treg, nuk e justifikojnë këtë zhvlerësim të saj në minimumin historik.
Ekonomia shqiptare ka bërë përparim gjatë dy viteve të fundit, duke u rritur në vitin 2022 me 4.8%. Inflacioni, pas shifrës rekord të vitit të kaluar prej 8.3% është ulur aktualisht në 5.7 %.
Por përtej këtyre zhvillimeve, vendi po përballet me një fenomen që për ekspertët përbën shqetësim, vlerësimi i ndjeshëm i monedhës vendase përballë euros. Leku është forcuar me 3.4% krahasuar me muajin Janar dhe me 7.1 krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar.