Procedohen penalisht dy punonjëse të postës në Vishocicë të Devollit, pasi vodhën në bashkëpunim 22 mln lekë të rinj.
Janë proceduar shtetaset me iniciale P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, Devoll; dhe E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë arkëtare-llogaritare, në degën postare Devoll.
Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 000 000 lekë të rinj nga fondi i postës, duke shpërdoruar detyrat. Shtetasja P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar dhe shpërdoruar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike (kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit), duke falsifikuar nënshkrimet e tyre, ndërsa shtetasja E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesat nga evidenca e librave të arkës dhe sistemit të menaxhimit të parave cash, për të favorizuar vjedhjen e fondeve nga 29-vjeçarja.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë rast.





