ITALI, 15 shkurt 2013 – Kanë zgjedhur heshtjen para gjykatësve italianë 2 nga 4 shqiptarët e ndaluar nën akuzën e grabitjes. Pavarësisht pyetjeve të shumta të drejtuara në adresë të tyre të rinjtë shqiptarë Ndue Nikolli, 22 vjeç dhe Pole Hoxhaj, 20 vjeç kanë preferuar të mos përgjigjen para trupit gjykues të Savonës, Itali. Ndërkohë dy bashkëpunëtorët e tyre Mandi Hoxhaj, 27 vjeç dhe Ergest Besimaj, 24 vjeç do të gjykohen nga gjykata e Xhenovës. Nga katër të rinjtë shqiptarë vetëm Ndue Nikolli ishte me dokumente të rregullta, 3 të tjerët ishin emigrantë ilegalë.
Të rinjtë akuzohen për një sërë grabitje vilash në zonën e Boissano-s dhe Cairo-s. Grupi i shqiptarëve ishte i specializuar në grabitje në vilat e izoluara, ku futeshin në orët e para të mëngjesit, gjatë kohës kur pronarët e shtëpive ishin në gjumë.
Pasi mbikqyrnin njëherë vendin përreth, 4 shqiptarët futeshin në vila dhe vidhnin prej andej para, bizhuteri apo dhe automjete. Sipas policisë italiane mendohet se katër të rinjtë kanë arritur të grabisnin objekte me vlerë rreth 40 mijë euro.
(m.b./AGJENCIA E LAJMEVE "DYRRAH")





