Zbardhen vjedhjet e 6 banesave në Durrës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, arrestuan në flagrancë një 18-vjeçar dhe shpallën në kërkim një tjetër për vjedhje.

Në pranga ra shtetasi K. M., 18 vjeç. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. N., 22 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore dyshohet se kanë vjedhur në banesat e gjashtë shtetasve A. M., A. V., Xh. Ç., K. A., M. S., N. K., orendi të ndryshme shtëpiake.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.