*E madhja me kusht, e vogla me 50 orë punë në komunitet
4nëntor 2015 – Gjykata e Durrësit ka vendosur të shpallë fajtore dy motrat Kajtazi, Orialda dhe Klevisa për dy akuzat e ngritura ndaj tyre, shkatërrim i pronës me zjarr dhe vjedhje në bashkëpunim. Të dyja motrat janë ulur në bankën e të akuzuarve, por këtë radhë të qeta ndryshe nga seancat e mëparshme. Akuza e përfaqësuar nga prokurorja Alma Felaj, kërkoi nga një vit burg për secilën prej motrave Kajtazi, të cilat e kishin pranuar më herët fajin për veprimet e kryera. Mbrojtja e përfaqësuar nga Avenir Stërmasi, i caktuar kryesisht nga gjykata, i kërkoi gjykatës një dënim të lehtë për 2 motrat që janë aktualisht në shkollë, duke kërkuar lehtësi nisur nga rrethanat se veprat penale janë kryer brenda familjes së tyre. Edhe psikologja i ka bërë me dije gjykatës se rikthimi i dy vajzave në familje, është në të mirë të tyre.
Fejzo Hysi relatori i çështjes pezulloi vendimin për dënim me burg, dhe me aplikimin e nenit 59, vendosi shërbim prove për 18 vjecaren Orialda Kajtazi dhe përfundimin e gjimnazit. Gjithashtu për motrën e vogël Klevisa Kajtzai, gjykata pezulloi vendimin e burgimit, dhe vendosi 50 orë punë të detyrueshme në interes publik. Në përfundim të gjyqit, Orialda Kajtazi deklaroi se ky ishte vendimi më i mirë që mund të merrej për to. “Jam e gëzuar sepse jam edhe duke ndjekur shkollën. Tani po presim rikthimin e motrës së vogël në shtëpi. Jemi në procedura e sipër”, tha ajo. Motra e madhe i drejtori dhe një herë falje familjes dhe të gjithë njerëzve që kishte përmendur në video, duke i shkaktuar lëndim.
/K.H. portali DurresLajm/





