Dy të rinj 27-vjeçarë janë arrestuar nga policia e Durrësit pasi akuzohen për disa vjedhje në qytet në dyqane, markete dhe pastiçeri.
Gjatë operacioneve, u arrestuan dy shtetas. Në pranga përfundoi 27-vjeçari A. D., i cili rezulton autor i vjedhjeve në një piceri, një dyqan dhe një market.
Në pranga ra edhe P. M., po ashtu 27 vjeç, që akuzohet për vjedhje në një pastiçeri dhe një market.
Njoftimi i policisë:
Vijon zbatimi i planit operacional të koduar “Siguria”.
Në kuadër të këtij plani, gjatë 12 orëve të fundit u finalizuan 2 operacione, “Arka” dhe “Broken”.
Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 5 raste vjedhjesh në dyqane, markete dhe pastiçeri.
Vidhnin shuma parash, mallra dhe sende të ndryshme, vihen në pranga 2 shtetas.
Vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin operacional të koduar “Siguria”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë 12 orëve të fundit, bazuar edhe në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar 2 operacione për zbardhjen e vjedhjeve.
Në kuadër të këtyre operacioneve u vunë në pranga shtetasit A. D., 27 vjeç, banues në Durrës, dhe P. M., 27 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. D. është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Durrësit, konkretisht:
-në një piceri, të ndodhur në lagjen nr. 6;
-në një dyqan, të ndodhur në lagjen nr. 5;
-në një market, të ndodhur në lagjen nr. 8.
Ndërsa shtetasi P. M., 27 vjeç, rezulton se është autor i vjedhjeve:
-në një pastiçeri, të ndodhur në lagjen nr. 12;
-në një market, të ndodhur në lagjen nr. 18.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të disa vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.





