DURRES – Një grup të rinjsh u arrestuan dje nga Policia e Durrësit pasi u kapën duke vjedhur kabllo të Albtelecom-it. Sipas Policisë, të arrestuarit janë shtetasit Arlin Dyli, 20 vjeç, Xhani Ymeri, 28 vjeç, Paris Preza, 18 vjeç, Ermal Bajrami, 18 vjeç, Silvana Hasani, 35 vjeçe dhe minoreni me inicialet S.M., 15 vjeç. Ka qenë kallëzimi që ka depozituar në Prokurorinë e Durrësit kjo shoqëri ajo që ka vënë në lëvizje Policinë.

Kjo e fundit organizoi operacionin e koduar “Kablli” dhe në mënyrë të menjëhershme, pa u lënë kohë të dyshuarve të largoheshin apo edhe të fshihnin materialin që më pas do të shërbejë si provë materiale, kanë kryer tri goditje paralelisht. Në operacionin e parë ka rënë në pranga 20-vjeçari Dyli nga Durrësi, i cili akuzohet se në bashkëpunim me Amaraldo Vezin, 22 vjeç dhe Muharrem Vezin, 27 vjeç, kanë kryer vjedhje të kabllove të Albtelekom-it. Policia, në komunikatën e saj zyrtare për median, ka bërë të ditur se këta shtetas kanë kryer vjedhjen e një sasie prej 740 metrash kabllo.

Bastisjet janë bërë në lagjet Numër 5, 12, 16, 17 dhe 18 të qytetit të Durrësit, në periudhën nga data 29 nëntor deri më datë 17 dhjetor të këtij viti. Në të tria goditjet, policia ka konstatuar 15 raste të vjedhjes së kabllos së shoqërisë që shpërndan sinjalin e internetit në qytetin e Durrësit, kryesisht të Albtelekom-it. Kjo shoqëri është përballur me këtë realitet pas denoncimeve të shumë qytetarëve, të cilët kanë bërë me dije se nuk kanë sinjal të internetit, ndërkohë që personeli inxhinier e teknik ka konstatuar edhe vendet e dëmtimit të linjës.

Sasia më e madhe e kabllove është dërguar për skrap dhe fitimet mendohet se janë ndarë mes personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Në të njëjtën kohë dhe me emërtimin e operacionit “Kablli” policia ka vënë në pranga edhe shtetasit Xhani Ymeri dhe Paris Preza, në Lagjen Nr. 15 të qytetit të Durrësit. Policia ka pohuar se i ka kapur në flagrancë, ndërsa 18-vjeçari Preza nga Katundi Sukth rezulton të ketë kryer edhe 3 vjedhje të tjera, duke përvetësuar 10 m, 25 m dhe 30 m kabllo.

I gjithë malli dyshohet se është shitur për skrap dhe se personat kanë përfituar 25 mijë lekë. Për të njëjtën akuzë janë vënë në pranga edhe shtetasit Ermal Bajrami dhe Silvana Hasani, së bashku me 15-vjeçarin.