Dy shqiptarë, njëri prej të cilëve kishte hyrë ilegalisht në territorin italian, janë arrestuar nga policia italiane, pasi tentuan të vidhnin dy banesa në Mantova. Policia u njoftua përmes një telefonate nga një djalë, i cili kishte raportuar se kishte dëgjuar zhurma në ballkonin e apartamentit të tij. Kjo sepse dy shqiptarët po tentonin të hapnin me mjete të ndryshme derën e ballkonit për tu futur brenda.
Pas mbërritjes së efektivëve, u zbulua se hajdutët kishin plaçkitur shtëpinë e djalit por nuk ishin aty më pasi ishin ngjitur në katet e tjera të pallatit, shkruajnë mediat italiane.
Pasi dëgjuan britma të forta nga një grua, oficerët u ngjitën në katin e tretë dhe të fundit të pallatit dhe vunë re se dy shqiptarët kishin tentuar të hynin në një shtëpi të dytë, por aty ishin ndeshur me pronarin e banesës, me të cilin u përleshën dhe fizikisht. Dy shqiptarët, me precedentë të mëparshëm për krime kundër pronës (vjedhje shtëpish dhe marrje mallrash të vjedhura) u arrestuan për grabitje dhe u dërguan në burgun vendas.