Bashkëpunim me qytetarët dhe punë hetimore intensive, për të parandaluar vjedhjet dhe për të zbardhur ato të kryera më parë.

Vodhën më 14 dhe më 15 janar, pajisje dhe vegla pune, në një banesë dhe në një objekt në restaurim, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas, të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Në pranga dhe një 54-vjeçar që kishte blerë disa nga veglat e vjedhura, të cilat u sekuestruan nga Policia.

Si rezultat i hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e 2 vjedhjeve në qytetin e Durrësit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:

E. K., 19 vjeç dhe K. K., 28 vjeç. (Nga verifikimet rezultoi se 28-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.)

Këta shtetas, më datë 14 janar 2024, kanë vjedhur një elektromotor, në një banesë në lagjen nr. 11, ndërsa 1 ditë më pas, kanë vjedhur vegla pune me vlerë rreth 200 000 lekë, në një objekt që po restaurohej, në lagjen nr. 4.

Në vijim të veprimeve operacionale u arrestua për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale“, shtetasi G. D., 54 vjeç, pasi kishte blerë nga të arrestuarit, disa nga veglat e vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.