Ka përfunduar me sukses operacioni antikontrabandë i koduar “Matrikulli” në sajë të bashkëpunimit të Policisë Kufitare në Korçë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve, Avdyl Spaho 51 vjeç, Klaudjo Spaho 24 vjeç, (at e bir) të dy banues në Bilisht, Martin Dulo 30 vjeç, banues në fshatin Rakickë-Devoll.
Tre personat e arrestuar, u kapën në flagrancë në drejtim të piramidës numër 13 mbi fshatin Rakickë-Devoll, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe kontrabanduar nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, 82 (tetëdhjetë e dy) krerë bagëti të imëta, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Greqi nga këta shtetas. Katër prej të cilave të matrikulluara nga shteti grek dhe pjesa tjetër të pamatrikulluara.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale: “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.





