Gjykata e Durrësit ka vendosur ”arrest me burg” për tre të arrestuarit e operacionit “Antikat”: Altin Veizaj, 49 vjeç me banim në Fier, Roland Zaimaj 48 dhe Alban Vrapi 37, të dy me banim në Tiranë.

Prokurori i çështjes sqaroi në seancë se të arrestuarit kishin mbërritur në Durrës paraditen e 6 korrikut dhe kanë qëndruar në verandën e lokalit të një hoteli në lagjen nr.1 të qytetit.

Mësohet se Veizaj që vinte nga Fieri ka pasur brenda një çante në automjet dy objektet për të cilat po kërkonin blerësit. Në momentin që do të largoheshin nga lokali ka ndërhyrë policia dhe i ka ndaluar. 

Gjatë marrjes në pyetje Veizaj ka deklaruar se e ka gjetur Amforën në grykëderdhjen e Vjosës, ndërsa ‘Stela e Varrit’, pjesë e një sarkofagu, nuk është objekt antik, por një imitacion që e ka bërë vetë. Interesimi i një personi nga Durrësi për objekte të lashta për të cilat interesohej një blerës i huaj e ka sjellë Zaimajn, që do të bënte ndërmjetësin, dhe Vrapin në Durrës për t’u takuar fillimisht me Veizajn. Ata do të shihnin konkretisht objektet që ai kishte për shitje dhe vijuar më pas me përpjekjet për shitjen e tyre.

Do t’i mbetet specialistëve të arkeologjisë të përcaktojnë nëse objekti në fjalë është një kopje apo objekt antik.

Veprat sipas policisë do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.