Tiranë, 29 korrik 2014 – Një nga çështjet më të diskutuara ditët e fundit është skandali i supervjedhjes në Bankën e Shqipërisë. Po ndërsa kjo çështje është mjaft e mprehtë, Gjykata e Tiranës ka marrë një vendim skandaloz për një tjetër vjedhje.

Bëhet fjalë për vjedhjen e Bankës së Kursimeve në vitin 2004.

Edhe pse u vodhën plot 2.4 milion dollarë, Gjykata e Tiranës ka dënuar vetëm me 50 orë punë publike arkëtaren Alketa P.

Sipas gazetës Shqip, vendimi është marrë më 1 korrik. Çështja është hetuar në vitin 2004, por u zbeh me kalimin e kohës.

Disa arkëtare u hetuan dhe u dënuan, ndërsa të tjera u larguan nga Shqipëria, me shuma të majme parash.

Tashmë kjo çështje është mbyllur me vendimin e gjyqtarit Kreshnik Omeri, që ka dënuar me vetëm 50 orë punë të detyruar një nga hajdutet e Bankës së Kursimeve.

Ku i dihet, ndoshta kështu mund të përfundojë edhe çështja për vjedhjen e 6 milion dollarëve në Bankën e Shqipërisë!