Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se vodhi një automjet gjatë orëve të natës në bulevardin “Bajram Curri”, me qëllim për ta çmontuar dhe shitur për pjesë këmbimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 nisën menjëherë punën pas sinjalizimit të vjedhjes, duke identifikuar dhe ndaluar autorin e dyshuar, shtetasin E. H., banues në Tiranë dhe me precedent penal të mëparshëm për të njëjtin krim.

Automjeti i vjedhur u gjet nga uniformat blu pranë banesës së të dyshuarit dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndaj 38-vjeçarit, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe veprime të mëtejshme ligjore.