Finalizohet në Durrës operacioni policor i koduar “Reagimi”. Policia ka ndaluar një 26-vjeçar, që vodhi një automjet në lagjen nr. 13.

Në cilësinë e provës materiale, policia gjeti dhe sekuestroi automjetin e vjedhur në zonën e Plazhit

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien para përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, me marrjen e njoftimit për një automjet të vjedhur menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit.

Falë reagimit në kohë, dhe veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin e autorit, kapjen dhe arrestimin e tij si dhe gjetjen e automjetit të vjedhur në pronësi të shtetasit E. F, të cilin ky shtetas e kishte vjedhur në lagjen nr. 13 gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm”,- njofton policia.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. H., 26 banues në Ersekë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.