Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pecaj” është vënë në pranga një 26-vjeçar me iniciale GJ.D i cili i vodhi 230 mijë lekë (të vjetër) nën kërcënimin e armës një 39-vjeçari me iniciale J.C.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pecaj”, fshati Mnelë e Madhe, ku 26-vjeçari është shfaqur i maskuar dhe teksa e ka kërcënuar me armë 39-vjeçarin me banim në Rrilë të Lezhës, i cili po drejtonte automjetin tip “Ford” dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e 26-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, krëhëra pushke, 220 fishekë luftarak dhe 1 maskë me ngjyrë të zezë, e cila dyshohet se është përdorur nga ky shtetas për të kryer vjedhjen nën kërcënimin e armës.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.





