Gjykata e Apelit në Tiranë ka liruar nga qelia infermieren nga Durrësi, Ronida Hysi. Mësohet se Apeli i ka ndryshuar masën e sigurisë, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” dhe shkak është bërë fëmija i saj i mitur 2 vjeç.

Infermierja e Spitalit Infektiv e cila u denoncua nga emisioni “Stop” në Tv Klan, akuzohet se i ka vjedhur paratë një pacienti që ndërroi jetë nga Covid. E reja i mori 58-vjeçarit paratë në portofol dhe në llogari, ku tërhoqi 60 mijë lekë të reja.

Denoncimi u bë nga djali i 58-vjeçarit, pasi pa lëvizjen e parave nga llogaria e të atit. Infermierja u arrestua pasi u faktua si autorja e dyshuar e vjedhjes, nëpërmjet disa pamjeve filmike.

Infermierja 30-vjeçare e Spitalit Infektiv, Ronida Hysi pas arrestimit e ka pranuar vjedhjen e parave të pacientit që humbi jetën nga Covid-i, duke i tërhequr nga llogaria bankare e tij plot 600 mijë lekë të vjetra.