Një 21-vjeçar nga Manëza është ndaluar nga Policia e Shijakut, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme ka vjedhur pjesë këmbimi automjetesh me vlerë rreth 8 mijë euro në servisin e një shtetasi, të cilat më pas i ka shitur.

Ndërkohë, për shtetasin që dyshohet se ka blerë mallin e vjedhur nisi procedimi penal për përvetësim të mallrave që rrjedhin nga vepra penale.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak ndaluan me iniciativë shtetasin E. D., 21 vjeç, banues në Manëz, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme, ka vjedhur në servisin e shtetasit K. K., pjesë këmbimi për automjete, me vlerë rreth 8000 euro, të cilat më pas ia ka shitur shtetasit D. Sh. Nga këqyrja e celularit të shtetasit E. D., u konstatuan faqe për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Për shtetasin D. Sh. nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Celulari dhe pjesët e këmbimit për automjete u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.