Vodhi produkte në një farmaci gjatë natës, kapet në flagrancë nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, menjëherë pas vjedhjes 44-vjeçari.

I arrestuari, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje, u pikas nga uniformat blu duke u larguar me vrap nga një farmaci. Shërbimet e policisë kanë qenë duke patrulluar në lagjen nr. 12, në orët e para të mëngjesit të sotëm, dhe kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë kapur shtetasin I. D., i cili mbante një çantë me produkte të cilat rezultoi se i kishte vjedhur në farmaci.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 44 vjeç, banues në Durrës.

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas, ndërsa produktet e vjedhura u sekuestruan.