Austri, 11 korrik 2014 – Enver B., një 34 vjeçar nga Kosova ishte akuzuar për vjedhjen e një valixheje me vlerë prej 100 mijë eurosh. Enveri ka dalë të enjten para gjykatës austriake, që e ka dënuar me dy vjet heqje lirie për vjedhje të rëndë.
Së bashku me dy persona të tjerë, Enver B. pak para Krishtlindjeve të vitit 2013, ia kishin vënë syrin valixhes së një ruseje të pasur në Aeroportin Schëechat. Sapo rusja kishte humbur pak vëmendjen, valixhja tashmë ishte zhdukur. Në të kishte pasur dokumente, para dhe stoli në vlerë prej 100 mijë eurosh. Por, gëzimi për Enverin dhe kolegët nuk qe jetëgjatë. Kamera vëzhguese e aeroportit kishte bërë fotografi shumë të qarta të ndihmësve të tij dhe, në bazë të tyre, në Belgjikë ishte kapur Enver B. dhe njëri nga bashkëpunëtorët, shkruan albinfo.
Para trupit gjykues, i akuzuari është përpjekur të hiqte fajin nga vetja, ndërsa gjykatësja i ka shqiptuar dënimin prej 24 muajsh burg, pjesërisht me kusht, prej tyre 8 muaj burg efektiv. Për prokurorin kjo masë është shumë e butë, prandaj ai do të bëjë ankesë, kështu që dënimi ende nuk është i plotfuqishëm.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





