Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Durrës vogëlushët janë rikthyer në kopshte dhe çerdhe mëngjesin e kësaj të hëne.

Me një protokoll të veçantë, pas një ndërprerje tre mujore për shkak të pandemisë, fëmijët kanë takuar shokët dhe edukatoret më 1 qershor, datë e cila përkon edhe me festën e tyre, ndonëse këtë vit nuk kishte festime.

Në kopshtin & çerdhen “Durrësi i Ri” në ish-Kënetë, të shoqëruar dorë për dore nga prindërit, të vegjlit janë pritur në derën kryesore nga edukatorja e cila fillimisht ju mat temperaturën me termometrin digjital.

Prindërit qëndrojnë në ambientet e jashtme të kopshtit nga ku komunikojnë me edukatoret ndërsa thonë për “DurrësLajm” se nuk i frikësohen aspak mundësisë së infektimit të fëmijëve me koronavirus.

“Nuk kemi frikë, kujdes po.”, thonë ato.

Prindërit duhet të plotësojnë çdo ditë një formular lidhur me historikun e familjes së tyre gjatë këtyre 3 muaj pandemie, nëse kanë pasur ndonjë simptomë, të afërm apo vetë personalisht të infektuar nga COVID-19.

Qyteti bregdetar ka gjithsej 37 kopshte, nga të cilat 29 ndodhen të atashuara në shkolla në njësitë administrative si dhe 8 në godina të veçanta.

“DurrësLajm” mëson se sot dy kopshte nuk kanë mundur të hapin dyert për fëmijët, “1 qershori”, i cili është mbyllur pas tërmetit dhe pritet të bëhet rikonstruksioni i godinës si dhe “Met Hasa”, i cili është shembur dhe pritet të rindërtohet.

Përgjegjësja e sektorit të arsimit në bashki, Nikoleta Rusha tha për “DurrësLajm” se çdo ditë do të bëhet monitorimi i pjesëmarrjes së fëmijëve në kopshte/çerdhe.

“Në 8 kopshte, në ditën e parë sot janë paraqitur 264 fëmijë. Janë hapur edhe 2 çerdhe me 22 fëmijë ndërsa nga e hëna tjetër do të bëhet edhe hapja e çerdhes së tretë pasi po bëhen punime”, u shpreh ajo.

G.D.