Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu dy ditë më parë nga fqinji i tij në një fshat të Fierit ka tronditur mbarë opinionin public duke sjellë reagime të shumta nga qytetarë, të njohur të tij dhe figura të politikës.

Si rrallëherë, në shumë nga reagimet e bëra në rrjete sociale, qytetarët kërkonin rikthimin e dënimit me vdekje për të tillë monstra, si Klodian Çalamani.

Të prekur nga vdekja tragjike e bashkëmoshatarit të tyre, disa të mitur nga Durrësi i kërkuan sot shtetit shqiptar të bëjë drejtësi, për të parandaluar që në të ardhmen raste të tilla të përsëriten.

Me foton e vrasësit Çalamani në duar, këta vogëlushë e identifikuan veten e tyre sot me bashkëmoshatarin e tyre Mateo, jeta e të cilit u ndërpre në mënyrë tragjike.

“Dua drejtësi për vëllain tim Mateo, që ky monstër të varet”,- tha njëri nga vogëlushët në sheshin kryesor të Durrësit.

Me të njëjtin apel “Duam drejtësi” familjarët e 8-vjeçarit, Mateo Vasiu hynë paraditen e sotme me forcë në ambientet e Gjykatës së Fierit dhe thyen xhamat e derës hyrëse.

Ata kërkuan të vendoset drejtësia e autori të varet në mes të Fierit, që sipas tyre të bëhet shembull për të gjithë.