E gjithë vizita prej katër orësh e sekretarit amerikan të shtetit John Kerry në Tiranë mund të përmblidhet me një fjali të vetme. Ai erdhi për të falenderuar Tiranën, që ajo të pranonte edhe 2000 anëtarë të tjetër të opozitës politike iraniane. Kuptohet, askush nuk foli për këtë gjë, dhe pikërisht për këtë kjo kishte qenë edhe arsyeja e vërtetë e vizitës.

Por, sot, kjo nuk është më hamendësim mediatik, por është zyrtare. Uashintoni, përmes Zërit të Amerikës, në versionin anglisht (se ai në shqip ishte disi më i kamufluar), e ka bërë tashmë zyrtare faktin se sekretari Kerry “përdori një vizitë të tijën në Shqipëri për të falenderuar qeverinë për strehimin anëtarëve të opozitës iraniane Mujahedin-e-Khalq.”

Çfarë është Mujahedin-e-Khalq

Mujahedin-e-Khalq është një organizatë, e themeluar në vitin 1965 nga intelektualë të moderuar iranianë, e cila, fillimisht, kërkonte rrëzimin me forcë të regjimit të Shah Muhammed Reza Pahlavi dhe më pas edhe të regjimit të vendosur nga Ayatollah Khomeini.

Për shkak të marrëdhënieve të acaruara Iran – Irak, regjimet e ndryshme në Bagdad u krijuan lehtësira anëtarëve të Mujahedin-e-Khalq për të ndërtuar bazat e tyre në Irak. Ata u përdorën edhe nga Shtetet e Bashkuara, duke qenë se ishin thuajse të vetmit opozitarë të regjimit të Teheranit. Por, gjerat ndryshuan në vitin 2003, kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët praktikisht pushtuan Irakun, duke sanksionuar edhe vendosjen e demokracisë. Kjo e fundit solli në pushtet shiitët, pasi ata janë shumicë në Irak, e që kanë lidhje të ngushta me Teheranin.

Anëtarët e Mujahedin-e-Khalq dhe familjet e tyre sot janë të gjithë refugjatë dhe të të përqëndruara në një kamp të veçantë, në Ashraf, në Irak, ku gjithnjë e më shumë u rrezikohet jeta. Në vitin 2003, mendohet se kampi kishte mbi 6000 njerëz, por sot numri i tyre është shumë më i vogël. Pavarësisht se ata mbroheshin nga Shtetet e Bashkuara, kampi është sulmuar shpesh nga grupe të armatosura militante filoiraniane. E vemtja rrugëzgjidhje, në bashkëpunim me qeverinë irakiane në Bagdad, ka qenë largimi i anëtarëve të kësaj organizate nga Iraku.

Mujahedin-e-Khalq dhe Shqipëria

Në fillim të vitit 2013, Shqipëria pranoi të strehojë 210 anëtarë të organizatës Mujahedin-e-Khalq. Me kalimin e muajve, grupe prej tyre vijuan të vinin dhe, sot, mësohet se në vendin tonë gjenden afro 1000 vetë të kësaj organizate. Në fakt, më 9 shkurt në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” ka zbritur një grup prej 20 syresh, i dyti për këtë vit.

Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit Kerry kishte ardhur për t’i bindur shqiptarët të strehonin edhe 2000 anëtarë të tjerë të Mujahedin-e-Khalq. Në fakt, ai erdhi t’i falenderonte ata, që ishin rreshtuar për ta pritur, që nga Rinasi deri në Tiranë, pasi shqiptarët e kishin vendosur tashmë që të strehonin edhe 2000 anëtarë të tjerë të organizatës Mujahedin-e-Khalq. Sekretari Kerry kishte ardhur edhe me 20 milionë dollarë me vete, por askush nuk u kujdes për të sqaruar faktin se ai fond do t’i shkonte Kombeve të Bashkuara, që do të kujdesej për refugjatët iranianë.

Mungesa e transparencës nga Tirana

Nuk është hera e parë që Tirana tregohet jotransparente për vendime të tilla dhe, më vonë, i plas bomba në dorë.

Parimisht, nuk ka asgjë të keqe në strehimin e të tillë refugjatësh, pasi vendi ynë është pjesë e traktateve ndërkombëtare që nuk lejojjnë riatdhesimin e refugjatëve, nëse në atdheun e tyre ata do të kthehen në objekt persekutimesh. Edhe moralisht, nisur nga e kaluara jonë me ikurit gjatë viteve të regjimit komunist, Tirana duhet t’i strehojë opozitarët e regjimit iranian.

Por, dihet që çeshtja nuk është kaq e thjeshtë, pasi vetëm pak vite më parë Mujahedin-e-Khalq konsiderohej si organizatë terroriste. Për më tepër, kjo organizatë nuk e fsheh qëllimin e vet kundër regjimit në fuqi në Iran, duke e vënë në Tiranën në pozitë të vështirë për veprimet kundër Iranit që mund të kenë, qoftë edhe hipotetikisht, origjinën e tyre nga Shqipëria.

Nisur nga numrat që tashmë janë bërë publikë, kuptohet se i gjithë kapmi i refugjatë të Mujahedin-e-Khalq do të zhvendoset nga Ashraf i Irakut në vendin tonë.

Edhe këtu nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, pasi detyrimet në fushën e marrëdhënieve me të tjerët janë mëse të njohura dhe të pranueshme. Në këto kushte, vendit tonë i lindin detyrime edhe nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Por, kur mungon transparenca, gjërat shpesh nuk duken ashtu sikurse janë në të vërtetë… ato kthehen në makthe të këqija edhe kur në fakt nuk janë aspak të tilla. Megjithatë, me konsensus, vendi ynë do t’i mirëpresë refugjatët politikë iranianë… Por, do të ishte më mirë që lajmet e brendshme të mos i merrnim vesh nga jashtë.

N. H.