TIRANË, 21 shkurt 2013 – “PD është partia e parë në vend që ka respektuar kuotën gjinore prej 30 % të përfaqësimit të grave dhe vajzave edhe në strukturat e saj organizative, duke promovuar një pjesëmarrje të madhe të tyre në politikë dhe vendimmarrje". Deklarimi u bë sot nga kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë dhe deputetja Albana Vokshi gjatë një takimi të organizuar nga Rrjeti i Grave "Barazi në vendimmarrje".
Deputetja demokrate e vuri theksin gjatë fjalës së saj në atë çfa ka bërë mazhoranca qeverisëse në këto 8 vjet në pushtet për forcimin e të drejtave politike të grave.
Sipas saj, është rritur ndjeshëm përfaqësimi i femrave në të gjitha sferat e jetës, veçanërisht në ato fusha që mendoheshin ekskluzivitet i meshkujve.
“Është rritur përfaqësimi i femrave në parlament, në qeveri, në administratën qëndrore dhe atë lokale si dhe në forcat e sigurisë. Gratë dhe vajzat përbëjnë numrin më të madh të studenteve dhe docenteve në Universitetet publike dhe jo-publike në vend. Po punohet me programe të veçanta për fuqizimin ekonomik të tyre, jo vetëm në qëndrat urbane, por edhe në fshat, aty ku gratë dhe vajzat kontribuojnë në 55 % të prodhimeve bujqësore. Gjithashtu një vëmendje po u kushohet edhe grave kryefamiljare dhe pensionisteve, duke i përfshirë dhe këto në programe për një moshë aktive",- tha deputetja Vokshi.
Në të njëjtën kohë deputetja demokrate theksoi se rritja e numrit të grave në vendimmarrje dhe biznes, ka bërë që të përmirësohet renditja e vendit tonë në klasifikimet botërore për barazinë gjinore.
“Në raportin e Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2010 “Mbi barazinë gjinore” Shqipëria renditet në vendin e 78 nga 134 shtete të referuara në studim, me një vlerësim prej afro 70%, ku vlerësimi maksimal 100% jepet në rastet e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në fusha si ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe politika. Ndërkohë Raportit i Unionit Ndërparlamentar i publikuar ne shkurt 2012 dhe qe i referohet studimit mbi përfaqësimin politik të grave, e vendos Shqipërinë në vendin e 82 nga 143 vende në rang botëror”,- tha Vokshi.