Erzeni ka fituar 3-2 ndaj Tiranës në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të Kampionatit Kombëtar në volejboll për meshkuj, duke konsoliduar pozitat në krye të renditjes. Një fitore e vështirë për ekipin shijakas, që duket se e nënvlerësoi disi rivalin dhe në fund rrezikoi ta humbiste sfidën.

Ndeshja zgjati 2 orë dhe dhuroi emocione thuajse në të pesta setet, madje loja u bë dramatike në pikët e fundit.

Erzeni fitoi setin e parë dhe të tretë, duke kaluar dy herë në epërsi, por pa mundur ta mbyllë ndeshjen. Tirana arrin të rikuperojë në të dyja rastet, duke fituar setin e dytë dhe të katërt dhe fituesi vendoset në setin final. Emocione pa fund në setin e pestë, ku gjithçka vendoset në pikët shtesë, me kampionët shijakas që fitojnë 16-14, duke marrë dy pikë që e shkëpusin 5 pikë nga Vllaznia e vendit të dytë.

Ndërkaq, Studenti arriti një fitore të lehtë ndaj Teutës së vendit të fundit me rezultatin 3-0 në “Asllan Rusi”, ndeshje ku epërsia e ekipit kryeqytetas ishte e madhe në të tria setet. Për durrsakët vijon sezoni i humbjeve, teksa prej dy vitesh nuk arrin të grumbullojë dot as edhe një pikë në një renditje.