Dy javë pas ndeshjeve të zhvilluara në Poloni, Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) do të organizojë në Durrës ndeshjet e kthimit të Grupit A të Ligës Europiane në volejboll për femra, aty ku merr pjesë edhe kombëtarja kuqezi.
Ndeshjet do të nisin sot dhe për tri ditë me radhë do të zhvillohen në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, aty ku gjithçka është gati dhe skuadrat kanë mbërritur që prej ditës së djeshme. Në tri përballjet e para, Shqipëria bëri një paraqitje të mirë, duke u mundur 3-1 me Poloninë e Sllovakinë, ndërsa me Bjellorusinë kombëtarja humbi 3-2.
Aktualisht, Shqipëria ndodhet e fundit në Grupin A, me vetëm një pikë, por duke parë lojërat e mira dhe paraqitjet në Poloni shanset janë që të vijë jo vetëm fitorja e parë, por të shpresohet edhe për një kualifikim të mundshëm në fazën finale. Trajnerët Martiri e Tarja, kanë vijuar gjatë dy javëve të fundit përgatitjen me volejbollistet e grumbulluara. Ndeshjet e para luhen sot pasdite, ku Sllovakia do të përballet me Bjellorusinë (ora 15:00), ndërsa Shqipëria me Poloninë (ora 18:00). Paralelisht me këto ndeshje te kombëtares së femrave edhe ajo e meshkujve po luansfidat e kthimit në Shkup të Maqedonisë (po Liga Europiane).
17 qershor
Sllovaki – Bjellorusi, ora 15:00
Shqipëri – Poloni, ora 18:00
18 qershor
Bjellorusi – Poloni, ora 15:00
Sllovaki – Shqipëri, ora 18:00
19 qershor
Poloni – Sllovaki, ora 15:00
Bjellorusi – Shqipëri, ora 18:00





