Skënderbeu i volejbollit të femrave e ka filluar me sukses vitin 2025, duke regjistruar fitoren e radhës. Korçaret triumfuan në Durrës ndaj Teutës me rezultatin e pastër 0-3, takim i vlefshëm për Grupin A të Kupës së Shqipërisë.
Sfida e ditës së pestë vendoste përballë dy ekipe të kualifikuara tashmë për në gjysmëfinale, por korçaret nuk falën dhe blinduan vendin e parë me një provë dominuese në transfertë.
Miket morën dy setet e para me rezultatin e njëjtë 21-25, ndërsa në setin e tretë e kishin edhe më të thjeshtë, duke fituar thellë 14- 25, për ti mbyllur llogaritë në 1 orë e 18 minuta. Në këtë ndeshje për ekipin e drejtuar nga Orlando Koja debutoi edhe algjeriania Ghozlane Moulla.





