Java e 11-të e Superligës u kompletua me ndeshjen e Durrësit ndërmjet Teutës dhe Pogradecit. Liqenoret e trajnerit Besnik Lisha fituan me rezultatin 1-3 në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.

Takimi nisi më mirë për Teutën, pasi vendëset e kishin nën kontroll lojën në setin e parë, duke fituar 25-20 me pikën finale nga rusja Alisa Trubyuk. Por më tej erdhi reagimi i fuqishëm i vajzave të Pogradecit. Kështu miket morën setin dytë në shifra të thella 12-25, ndërsa kaluan në epërsi 1-2 me setet, duke fituar edhe fraksionin e tretë 16-25.

Teuta provoi të qëndronte në lojë në setin e katërt, por gradualisht Pogradeci u shkëput, duke e fituar setin 17-25 për ta vulosur triumfin 1-3 në një orë e 37 minuta lojë. Volejbollistja nga Barbadosi, Seale Shonte, spikat në sulmin e skuadrës liqenore, duke realizuar 20 pikë, mbështetur nga braziliania Bruna Aoki me 16 pikë dhe Paola Gjata me 15.

Për Teutën nuk mjaftoi Trubyuk, autore e 21 pikëve. Me këtë fitore Pogradeci ngjitet në kuotën e 14 pikëve, duke ruajtur vendin e katërt, ndërsa Teuta është e gjashta me 10 pikë.