Ka përfunduar sezoni i rregullt i Grupit A1 të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për femra, një javë që përcaktoi edhe renditjen përfundimtare të skuadrave në prag të play off-it që nis pas një jave.
Në fakt, katër skuadrat gjysmëfinaliste ishin përcaktuar më parë (Barleti Volej, Teuta, Partizani e Tirana), por tashmë u vendos se cila prej tyre do të zinte vendin e dytë. Dhe ajo është Teuta, që mposhti 3-1 Partizanin në Durrës.
Një përballje mes dy ekipesh që synonin vendin e dytë dhe faktorin fushë në sfidën që do të kenë sërish mes tyre pas një jave, këtë herë në play off. Teuta e meritoi fitoren, duke qenë vazhdimisht superiore në parket, duke lëshuar terren vetëm në setin e tretë, të fituar nga kryeqytetaset.