Java e 5-të e Grupit A1 në volejboll për femra ka nisur me fitoren 3-1 të Barleti Volley ndaj Teutës, sfidë që u luajt në pallatin e sporit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Ky është triumfi i pestë i ekipit kampion, që falë tri pikëve të marra sot shkon në +5 pikë nga ndjekësit, ku në vendin e dytë është pikërisht Teuta.
Ndonëse pritej një përballje e fortë, ashtu si ndaj Tiranës një javë më parë edhe ndaj durrsakeve, skuadra e Barletit pati epërsi dhe tregoi një lojë të mirë dhe qëndron i pamposhtur në kampionat. Vetëm seti i dy ndeshjes ka rivalitet, me durrsaket që luajnë mirë dhe përfitojnë nga gabimet e skuadrës kryeqytetase, duke barazuar përkohësisht shifrat.
Pjesa tjetër e takimit është një formalitet për Barletin, që dominon lojën në çdo drejtim, madje fiton me diferenca të mëdha pikësh. Interesant, madje dramatik bëhet fundi i setit të katërt, me Teutën që rikuperon nga 24-17 në 24-25, por në shtesë Barleti triumfon 28-26 dhe fiton 3-1. Nesër luhen edhe takimet e tjera të javës së pestë.