Skuadra e volejbollit për meshkuj synon sërish titullin kampion i Shqipërisë. Flet presidenti i “teutës”, Markelian Rexhepi. Elementët e rinj që i janë bashkuar skuadrës dhe optimizmi për ndeshjet e mbetura. Si u eliminua “Teuta” nga kupat e Europës dhe rikthimi këtë vit me moral të ngritur.
Skuadra “Teuta” synon të fitojë edhe këtë vit titullin kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Këtë fakt e përforcon akoma edhe më shumë merkatoja që durrsakët kanë bërë gjatë pushimeve dimërore. Sipas presidentit të ekipit “Teuta”, Markelian Rexhepi, skuadra ka bërë progres gjatë fazës përgatitore, duke blerë disa elementë të rinj që do të shërbejnë për pjesën tjetër të kampionatit. Aktualisht ekipi durrsak rivalizon për titull kampion me kundërshtarin e përhershëm, “Studenti”. Presidenti rrëfen edhe eliminimin nga kupat e Europës nga skuadra e njohur turke “Gallatasarai”. Lojtarët e ofruar në ekip janë të huaj dhe me shumë eksperiencë, ndërkohë që ata do të tregojnë aftësitë e tyre gjatë pjesës së dytë të kampionatit.
Z. Rexhepi ju prej disa vitesh jeni presidenti i ekipit “Teuta”. Mund të na tregoni si është atmosfera në kampin blu dhe si po përgatitet ekipi për pjesën tjetër të sezonit?
Është e vërtetë që un jam në krye të ekipit prej disa kohësh dhe mendoj se së bashku me trajnerin dhe me lojtarët kemi punuar dhe jemi shpërblyer mirë. Ne jemi kampionë në fuqi dhe pretendentë kryesor për të fituar titullin edhe këtë sezon. Aktualisht jemi duke bërë fazën përgatitore në mënyrë që të jemi gati kur të nisë faza e dytë. Në ekip janë bërë shumë ndryshime, pasi janë afruar disa lojtarë të huaj, ndërsa më e rëndësishmja është se kemi marrë edhe një trajner të huaj me shumë eksperiencë.
Meqë dolëm tek merkatoja dhe përforcimet e skuadrës, cilët janë të ardhurit dhe a do të ketë largime?
Unë i siguroj të gjithë tifozëve se nuk do të lejoj që të largohet nga ekipi asnjë lojtar, të paktën gjatë merkatos së janarit. Ndërkohë kemi bërë një merkato të fuqishme duke sjellë në ekip disa lojtarë shumë të mirë, të cilët me talentin e tyre do të na ndihmojnë për të fituar titullin kampion. Pjesën e dytë të sezonit ekipi do të drejtohet nga trajneri, Hari Nokofski, ish-trajner i skuadrës së Straumickës një nga ekipet më të mira në Maqedoni, ekip me të cilin ka fituar disa tituj radhazi. Ndërsa për sa i përket lojtarëve, në ekip janë ofruar tre lojtarë, dy maqedonas dhe një bullgar. Lojtarët kanë mbërritur dhe i janë bashkuar ekipit i cili po vijon përgatitjet e fundit për të nisur kampionatin. Gjatë takimeve miqësore që kemi zhvilluar kemi vënë re se lojtaret e afruar së fundmi në ekip kanë treguar një formë të jashtëzakonshme dhe kjo na bënë që të shpresojmë tek titulli i radhës.
Teuta lufton së bashku për titull me kundërshtarin e saj historik “Studenti”, kush mendoni se ka më shumë shanse për të fituar titullin?
Mendoj se edhe për këtë vit do të jemi ne kampion të Shqipërisë, pa e nënvlerësuar kundërshtarin. Për gjatë gjithë fazës së parë, të dy ekipet kanë qenë në një formë shumë të mirë dhe si pasojë kryesojnë me pikë të barabarta kampionatin e volejbollit për meshkuj. Realisht unë parashikoj një betejë shumë të fortë mes dy ekipeve. Ashtu si edhe ne, “Studenti” ka bërë përforcime, ka sjellë në skuadër disa lojtarë të cilët spikatën gjatë fazës së parë në kampionat.
Z. Rexhepi Teuta është eliminuar nga kupat e Europës nga ekipi turk “Gallatasarai”. Çfarë ndodhi në ato dy ndeshje?
Po, është e vërtetë që u eliminuam nga kupa e Europës, por mendoj se jemi eliminuar me nder, pasi përballë kishim një ekip shumë të mirë siç është “Gallatasarai”, një ndër skuadrat më të mira të Europës. Faktikisht ekipi ynë nuk mundi të përballojë kundërshtarin i cili qëndronte më lartë se ne në çdo aspekt, si taktik ashtu dhe fizik, duke i humbur të dy takimet, si në Durrës ashtu edhe në Stamboll. Takimin e parë që u zhvillua në fushën kundërshtare ekipi ishte më i përqendruar dhe luajti mirë, të paktën deri në setin e dytë të takimit, ndërsa më pas skuadra u shpërfytyrua totalisht. Në fushë nuk ishte më ajo “Teutë” që kishim parë, kjo edhe për arsye se përballë saj ishte një ekip me mjaftë eksperiencë në Europë. Ndërsa në takimin e kthimit që u luajt në Durrës, lojtarët e kishin të qartë se nuk ekzistonte asnjë lloj mundësie për kualifikim dhe kështu që luajtën një takim jo në nivele të larta. Në këtë vit do të luajmë sërish në kupat e Europës dhe mendoj se nuk do të bëjmë të njëjtat gabime që bëmë gjatë këtyre eliminatoreve.