Federata Shqiptare e Volejbollit do të ndalë ndeshjet e Kampionatit Kombëtar këtë fundjavë, për t’i lënë vend Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillojë në Shkodër dhe Tiranë takimet gjysmëfinale dhe ato finale. 

Më datën 9 mars, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale për meshkuj: Vllaznia-Teuta dhe Tirana-Studenti. Këto janë katër ekipet gjysmëfinaliste, të kualifikuara pas ndeshjeve në grupe. Fituesit do të përballen një ditë më pas (10 mars) në finale. 

E njëjta skemë edhe për dy ndeshjet gjysmëfinale të femrave: Barleti Volej-Vllaznia e Tirana-Teuta, përballje që do të luhen më 11 mars në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Edhe këto skuadra u kualifikuan pas ndeshjeve eliminatore, të zhvilluara në dhjetor.

Ndërsa më 12 mars, po në Tiranë, do të luhet finalja e Kupës. Të shtunën do të luhet edhe ndeshja e prapambetur e Grupit A2 në volejboll për femra midis Korabit dhe Studentit.