Erzeni ka parakaluar në javën e fundit të fazës së parë Partizanin (ishte pushim) në renditjen e Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj, duke u shpallur “kampion i dimrit”.
Fitorja 3-0 ndaj Teutës në derbin durrsak i ka dhënë kreun skuadrës shijakase, që korri fitoren e shtatë në kampionat, një kampionat ku Erzeni është pretendent për titull. Janë zhvilluar ndeshjet e javës së nëntë të volejbollit për meshkuj, ku meritën e ka skuadra shijakase, që drejtohet nga trajneri Arben Sako e ndihmësi i tij, Rezart Muka, duke ndërtuar një skuadër e cila po habit me lojën e tyre mjaft të mirë në të gjitha takimet.
Ata kanë fituar 7 nga 8 takimet e luajtura, duke fituar 23 sete dhe humbur 6. Kanë shënuar 708 pikë dhe kanë pësuar 561 pikë nga ekipet kundërshtare. Në ndeshjen e luajtur në derbin durrsak, ka dhuruar një tjetër fitore për Erzenin.
Shijakasit kësaj radhe e kanë mposhtur Teutën në shifrat 3-0. E vetmja rezistencë e durrsakëve ka qenë në setin e dytë. Ashtu siç edhe pritej nga skuadra e trajnerit Sako, sfidën me Teutën e kaloi pa problem, duke e dominuar që prej fillimit.
Në asnjërin prej seteve, Erzeni nuk e diskutoi fitoren, duke konfirmuar edhe një herë tjetër formën e mirë që po kalon. Skuadra shijakase ka shfrytëzuar dhe pushimin që pati këtë javë skuadra e Partizanit për ta kaluar edhe në renditje, duke shkuar në vendin e parë me një pikë më shumë se Partizani.