Janë luajtur ndeshjet e javës së dytë të Kampionatit Kombëtar në Volejboll për meshkuj, një javë e cila ka dhuruar mjaft surpriza. Skuadra kampione e Erzenit është mundur në Shkodër nga Vllaznia. Falë këtij suksesi, skuadra shkodrane udhëheq renditjen së bashku me Tiranën, me nga 5 pikë secila. 

Vllaznia ka fituar 3-2 ndaj Erzenit kampion në fuqi në Shkodër, ndeshje që mund të ishte fituar edhe më lehtësisht nga vendasit, që shpërdoruan një avantazh të dyfishtë. Shkodranët udhëheqin 2-0 me sete, por gabojnë atëherë kur nuk pritej, duke i dhënë mundësi ekipit shijakas të rikuperojë 2-2 dhe gjithçka vendoset në setin final.

Këtu është sërish Vllaznia që dominon dhe fiton 15-11 e krejt ndeshjen 3-2. Vllaznia ka 5 pikë pas dy javëve të para, po aq sa edhe Tirana, që mundi po 3-2 Skënderbeun në “Fahrie Hoti”. 

Farka Volley arriti një fitore të lehtë në Durrës ndaj Teutës me rezultatin 3-0, ndeshje me dominuar nga volejbollistët kryeqytetas, që në të trija setet patën epërsi në fushë. Teuta, ashtu si edhe vjet, ka një ekip të ri e pa përvojë, duke mos rivalizuar , ndaj dhe 3 pikët e Farkës ishin të merituara.