Kampionati Kombëtar i Volejbollit për meshkuj ngriti siparin, duke zhvilluar ndeshjet e javës së parë për edicionin 2019-2020. Që në ditën e parë patën takime mjaft interesante dhe emocionuese, ku nuk munguan as surprizat.

Partizani, kampionia në fuqi, u shtang në kryeqytet nga Skënderbeu duke e nisur me humbje kampionatin. Në sfidat e tjera fitojnë pa shumë mund Erzeni, Tirana dhe Studenti.

Asnjë vështirësi për Erzenin, që arrin të fitojë lehtësisht ndaj Teutës në Durrës. Shijakasit triumfuan në derbin rajonal 3-0. Diferencat në cilësi mes dy ekipeve ishin të ndjeshme.

Nga njëra anë Erzeni, ekip i ndërtuar për të pretenduar maksimumin dhe nga ana tjetër Teuta, e cila në përbërje ka lojtarë shumë të rinj. Ekipi i Arben Sakos është superior në çdo aspekt dhe i fiton bindshëm të tria setet në shifrat 12-25, 18-25, 13-25.