Kombëtarja e meshkujve në volejboll është mundur 3-1 nga Portugalia, në ndeshjen e luajtur në “Feti Borova”, sfida e fundit e kombëtares kuqezi në eliminatoret e Kampionatit Europian, Grupi D. Edhe pse kombëtarja e nisi mirë këtë përballje, duke fituar setin e parë, volejbollistët kuqezinj nuk ruajtën të njëjtin ritëm deri në fund. Shpejt miqtë “luzitanë” rikuperojnë dhe fitojnë 3 setet e tjera, duke korrur një fitore që i mban në krye të grupit.

Shqipëria komandon lojën në setin e parë, mbron mirë e sulmon me efikasitet, duke u shkëputur edhe pse në fund rrezikon të humbasë. Portugalia barazon 24-24, por në pikët shtesë kuqezinjtë fitojnë 26-24. Më pas, në fushë ajo që dikton me lojën e saj është Portugalia, që “merr masat”, duke ngritur ndjeshëm nivelin e lojës. Miqtë fitojnë me lehtësi dhe diferenca pikësh tri setet e tjera, duke patur gjithnjë lojën nën kontroll dhe e merituan këtë sukses.

Eliminatoret e këtij Europiani nuk u mbyllën mirë për kombëtaren e trajnerit Jani Melka, që kishte të tjera pritshmëri para 4 ditësh. Por dy humbjet e fundit, ndaj Austrisë e Portugalisë, përmbysën situatën dhe tashmë Shqipëria duhet të kënaqet me vendin e tretë në Grupin D, duke lënë mpas Kroacinë.

Kombëtarja kuqezi i mbylli këto eliminatore me 2 fitore e 4 humbje, duke grumbulluar në total 5 pikë, por paraqitja e këtij ekipi ishte e kënaqshme, duke rivalizuar në të gjitha takimet.