Studenti – Teuta, 3-2 (19-25, 20-25, 25-23, 25-19, 15-13)
Studenti fitoi Kupën e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, pas fitores 3-2 arritur ndaj Teutës në finale, takim që u luajt në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Një fitore me përmbysje e ekipit kryeqytetas, që pasi e pa veten në disavantazh të dy seteve, arriti të rikuperojë dhe të marrë një fitore me vlera në setin final.
Ndërkohë që shumë pak spektatorë kanë mundur të ndjekin këtë finale mjaft të bukur dhe me rivalitet mes dy ekipesh pretendente edhe për titull. Teuta, pasi eliminoi Vllazninë në gjysmëfinale tentoi të bëjë edhe sot surprizën, por nuk arriti ta realizojë atë. Studenti besoi te suksesi edhe pse në disavantazh dhe falë freskisë arriti të fitojë.
Një ndeshje ku emocionet dhe rivaliteti nuk munguan, dy ekipe që dhuruan spektakël në fushë, duke e kërkuar fitoren dhe përmbysur shifrat. Skuadra durrsake befasoi kampionët në dy setet e para, duke luajtur mirë, ka epërsi në fushë dhe e karikuar nga fitorja e djeshme ndaj Vllaznisë fiton 25-19 dhe 25-20, duke udhëhequr 2-0.
Seti i tretë ishte më i bukuri i ndeshjes, pasi Teuta iu afrua fitores, por kryeqytetasit nuk u dorëzuan, besuan se mund ta pëmbysnin takimin dhe ia dolën mbanë. Studenti fitoi 25-23 setin e tretë dhe më pas 25-19 setin e katërt, duke çuar gjithçka në setin final. Edhe ky set është i bukur dhe me rivalitet, ku dhe Teuta ka shanset e saj për fitore, por Studenti fiton në fund 15-13, duke nisur festën.