Superliga e volejbollit të meshkujve ka mësuar edhe ekipin e katërt gjysmëfinalist të edicionit 2024-2025, i cili është Studenti.
Kryeqytetasit kaluan me sukses fazën para “play off”, teksa fituan kundër Teutës në përballjen e tretë. Pasi kishin regjistruar nga një sukses secila skuadër në shifrat 3-2, gjithçka u vendos mbrëmjen e djeshme në sfidën e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Studenti triumfoi me rezultatin 3-1, në një përballje që zgjati 1 orë e 55 minuta. Ndeshja nisi mirë për Teutën, e cila ishte vazhdimisht në avantazh në setin e parë, deri në shifrat 18-20.
Por më pas vendësit i korrigjuan gabimet dhe ia dolën të rikuperonin, duke e fituar setin 25-21. Në setin e dytë durrsakët udhëhoqën që nga fillimi, për të fituar 18-25, duke rivendosur ekuilibrat 1- 1. I treti foli për Studentin, me skuadrën e drejtuar nga Kestrin Batalli që u tregua më e saktë se bregdetarët, teksa Anis Çullhaj fiksoi shifrat 25- 17, duke kaluar në avantazh 2-1 me sete Studentin. Edhe në setin e katërt ishin kryeqytetasit më të qartë në lojë, duke gabuar më pak se lojtarët e Teutës. Kështu Studenti e mori edhe setin e katërt 25-20, duke vulosur të gjithë ndeshjen në shifrat 3-1 dhe serinë e takimeve 2-1.
Plutor Jaku me 16 pikë, Anis Çullhaj me 14 si dhe Armando Gaxiri e Bledi Metani me nga 13 pikë secili udhëhoqën Studentin në sfidën e tretë para “play off” kundër durrsakëve. Për Teutën në dopioshifër pikësh mbërritën vetëm Feliphe Emico me 18 pikë dhe Jorge Delfino me 12.
Kështu Studenti bëhet skuadra e katërt që kalon në gjysmëfinalet “play off”, pas Partizanit dhe Skënderbeut të kualifikuara si vendi i parë dhe i dytë i sezonit të rregullt dhe pas Tiranës që eliminoi Vllazninë me dy përballje në para “play off”. Tashmë kampionati futet në fazën e tij më të zjarrtë, me duelet gjysmëfinale, aty ku do të luhen përballjet Partizani-Studenti dhe Skënderbeu-Tirana.