Lapsus i rëndë në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHV-së.
Klubi shumësportesh Teuta apelon energjikisht pranë KASI-t
Nga BUJAR QESJA
Durrës,18 shtator 2013- Opinioni sportiv dhe ai qytetar durrsak janë fort të tronditur. Shkak për këtë u bë vendimi i datës 11 shtator 2013, të Komitetit Ekzekutiv pranë Federatës Shqiptare të volejbollit. Madje përpilimi i saj, jep hije të rëndë dyshimi, për një hakmarrje politike në dëm të interesave të volejbollit durrsak. Inkuzicioni ndaj volejbollit me tradita të këtij qyteti, shtrihet në pikën e parë të vendimit numër 5 të këtij komiteti. Shprehimisht në të shkruhet:
1.Të lihet në fuqi vendimi numër 2 i Komitetit Ekzekutiv i datës 19.04.2013 me nr.Prot 194/13, për përjashtimin e Klubit Sportiv Teuta 1 (një) vit (një sezon sportiv) nga të gjitha aktivitetet zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe gjoba prej 300.000 (treqindmijë) lekë, bazuar në rregulloren e brëndëshme të FSHV-së.
Inati dhe mllefi për të ndëshkuar gjoja sipas rregulloreve volejbollin e Teutës, shkel rëndë dhe e tikën e formulimit të këtij dokumenti të rëndësishëm sportiv. Vihet re me lehtësi se në vend që të vendoset emri i ekipit të volejbollit Teuta, është zëvëndësuar me atë të klubit Teuta, çka nënkupton përjashtimin e plotë të të gjitha kategorive të përfaqësimit në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit të Teutës. Në fakt në fund të muajit korrik, në drejtim të FSHV-së është nisur një letër nga klubi shumësportesh Teuta, i firmosur nga sekretari i këtij institucioni Emiljan Jani, ku kërkohej rishikimi i vendimit të mëparshëm për të mos marrë aktin papreçedent të ndëshkimit me përjashtim për një vit të Teutës në volejbollin e meshkujve. Kundrejt kësaj, shumësportëshi durrsak informon edhe për masat paraprake të marra për bojkotin e takimit të katërt të plejofit për titullin kampion me Studentin, planifikuar për t’u zhvilluar në Tiranë. Teuta ka javë që ka filluar nga përgatitjet për fillimin e sezonit të ri, duke e shoqëruar këtë përgatitje edhe me kosto financiare jo të papërfillshme. Kundrejt masave të marra, në bisedat paraprake të zhvilluara me FSHV-në, ishte lënë të kuptohej një rishikim i vendimeve duke mos e lënë këtë bojkot edhe pa sanksione ndëshkuese por jo deri në përjashtim. Në ditën e mbledhjes, është thërritur për të dëgjuar edhe sekretari i klubit shumësportesh Emiljan Jani. Ai kishte bërë të njohura masat e këtij klubi, si dhe kërkoj që volejbolli durrsak që kishte të bënte edhe me raporte të lidhura fort me traditën dhe qytetarinë durrsake të mos ndëshkohej në përmasa drastike. Sekretari Jani kujton, që në këtë mbledhje nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv Njazi Kosovrasti është pyetur: Po kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, ka dijeni për bojkotin? duke lënë të kuptohej hapur dhe qartazi aspektin politik të problemit. Sipas Janit, sqarimi mbeti korrekt, pasi në këtë mbledhje ai vinte edhe i autorizuar nga zoti Dako i cili nuk mbështeti bojkotin e volejbollistëve, bojkot i cili erdhi nga një gjykim skandaloz i kryesores Rudina Omari dhe gjyqtarit të dytë Eduart Preka. Pas largimit të Janit, ku sqarimet dhe komentet e tij janë dëgjuar dhe mbështetur nga tavolina zyrtare e mbledhur me këtë rast, Komiteti Ekzekutiv ka vazhduar mbledhjen. Nga burime të mirinformuara, ky komitet lokalist me shumicë nga qyteti i Tiranës ka vendosur me katër vota pro dhe një kundër përjashtimin e Teutës. Kur është kërkuar zbardhja e vendimit, është lënë edhe pak ditë kohë për ta rishqyrtuar edhe njëherë. Por Kosovrasti of company kanë qenë të vendosur për të bërë këtë “atentat” sportiv ndaj volejbollit durrsak. Vetëm dje nëpërmjet email-it, sekretari i përgjithshëm i FSHV-së Leonard Tase ka përcjellur vendimin, për lapsusin e rëndë të së cilit bëhet fjalë edhe në fillim të këtyre rradhëve. Klubi shumësportesh Teuta, ka mbledhur në mënyrë urgjente këshillin drejtues, duke hedhur poshtë këtë vendim dhe duke e konsideruar të qëllimshëm, lokalist dhe me tendenca të theksuara politike. I kujtojmë lexuesit që Komiteti Ekzekutiv i FSHV-së përbëhet nga : Agron Duka dhe më tej Njazi Kosovrasti, Artan Pogoni, Mustafa Tukseferi dhe Arjan Doçi. Kosovrasti dhe Pogoni duke qenë aktivistë dhe punonjës të thekur të PD-së, si dhe Tukseferi si i jati i volejbollistit të Studentit Elton Tukseferi, protagonist i kontestimit të volejbollistëve të Teutës në ngjarjet që e çuan ekipin durrsak drejt bojkotit, përbën konflikt të hapur interesi. Fakti që Agron Duka voton kundërt, duke patur përballë këtë klan të kristalizuar politik, një çiban në trupin e brishtë të volejbollit shqiptar, tregon se forca e arsyes dhe objektivitetit nuk është fituese në këtë mbledhje ogurzeze për Teutën. Sekretari Jani shprehet:” Më vjen keq që është rënë në këto nivele lufta dhe përpjekjet në dëm të volejbollit të Teutës. Dihet mirë që Teuta është violinë e parë në volejbollin shqiptar dhe shumë prej lojtarëve të saj janë edhe anëtarë të ekipit përfaqësues. Janë shumë të talentuar dhe në karrierë. Nuk dua ta besoj se ky vendim bie era politikë. Jam shumë i sigurtë se në se kjo dukuri do të kishte të bënte me një Bashki të Partisë Demokratike, vendimi nuk do të qe ky”.
Sa i takon hapave që do të ndërmarrë shumësportëshi durrsak, janë ankesa pranë KASI-t, Këshillit të arbitrazhit sportiv pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke denoncuar të gjitha skenat dhe prapaskenat që çuan në dënimin dhe përjashtimin për një vit të nënkampiones së vendit nga veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. Kujtojmë që klubi shumësportesh Teuta, ka mbështetur shumicën e veprimtarive të FSHV-së, duke mos i marrë asaj qoftë edhe një kacidhe. Më tej ky vendim i provokon dhe acaron skajshëm, marrdhëniet e shkëlqyera dhe qytetare të vendosura deri tani ndërmjet të dy palëve.





