DURRES – Në orën 20.30 të mbrëmjes së 10 shkurtit, në pallatit e sportit “Ramazan Njala” përfundoi ndeshja e shumëpritur Teuta – Studenti. Durrsakët kryesuan katër fazat e kampionatit dhe tani janë përfshirë në Top Volej Liga për përcaktimin e titullit kampion. Këtë synim e kanë edhe tri ekipet e tjera si Studenti, Tirana dhe Vllaznia. Por është më se e qartë, që trofeu do të zgjidhet ndërmjet Teutës dhe Studentit, që thërret në ndihmë volejbollin serb dhe bosnjak për të mposhtur Teutën. Dhe dje nëpërmjet një dyluftimi dramatik, që zgjati 135 minuta ekipi udhëtues i Studentit ia ka arritur qëllimit.
Ballafaqimet ndërmjet këtyre dy çifteve, prej vitesh janë në vëmëndje të dashamirësve të shumtë të sportit të rrjetës. Teuta është e përforcuar me dy volejbollistë dhe një trajner të huaj, ndërsa Studenti vazhdon të aplikojë ritualin e zakonshëm në fazën përmbyllëse të kampionatit duke u përforcuar me kualitete të volejbollit ballkanik. Kështu mbrëmë në Ramazan Njala, shfaqet sërish serbi Pedrag Përziç dhe përkrah tij një tjetër lojtar i nivelit ndërkombëtar bosnjaku Abdel Zolota. As nuk diskutohet që janë këto dy përforcime, që e nderuan ekipin e Ylli Tomorit, përballë një Teutë tejet të motivuar për t’u vënë në krye të kampionatit.
Fakti që nga dyluftimi i parë i fazës së Top Volej Liga, u konsumuan 135 minuta për të ditur fituesen e ndeshjes, është tregues që titulli është kapitull i hapur deri në minutën e fundit të këtij dyluftimi pikant dhe me nivel. Teuta e nis mirë setin e parë, aq sa nuk pengohet në qëllimin e saj. 25-21 i gëzoi pa masë, por dardha do ta kishte bishtin prapa dhe i regjuri i rrjetës shqiptare Ylli Tomori, mori shënim për sa i takon ecurisë së mëtejshme të garës. Zoloto, Prziç, duke mos mbetur pas Kasa, Dragoi dhe Rrashketa, gjithnjë në pasimin mjeshtëror të Elton Tukseferit dhe pritjes së topit të parë nga Gorenxa marrin “hak” në setin e dytë. 25-22 është kthimi i faturës durrsakëve, të cilët kërkojnë ta fillojnë mbarë Top Volej Ligën.
Seti i tretë ndjek rrugën e të parit. Dyluftime të ashpra dhe të bukura, duke i dhënë volejbollit shqiptar të këtyre dy klubeve edhe stofin e toprrjetës ballkanike. Të paktën mbrëmë, Përziç dhe Zoloto të Studentit e fituan garën me dyshen boshnjake malazeze të Teutës të përbërë nga Vuk Medenica dhe Nikola Renovica. Veçse Teuta nuk po gjen karar me pasuesin, apo të paktën i mungon një Tuksefer që nuk gaboi thuajse në asnjë rast.
Vendasit e vënë në kontroll ndeshjen kur fitojnë setin e tretë 25-21 dhe më pas asgjë më shumë. Tomori motivon ekipin e tij dhe në sajë të një drejtimi profesionist, arrin të surprizojë Teutën në shtëpinë e saj. Barazohen setet 2-2, ku dominimi i Studentit ishte i dukshëm. Tek durrsakët ka hutim dhe dalin jashtë detyrave taktike. Seti final foli i tëri për miqtë, të cilët e godasin Teutën në të gjitha drejtimet. Pas tre barazimeve në fillim të setit të pestë, Studenti mori inisiativën dhe nuk e lëshoi deri në pikën e 15-të. Fitorja 3-2 nuk zgjidh asgjë, pasi gara është e gjatë. Por vlera e saj matet më shumë në aspektin psikologjik, që me të drejtë tani për tani është në anën e Studentit.
TEUTA – STUDENTI 2-3
Setet: 25-21, 22-25, 25-21, 16-25, 10-15
Fituesja pas 135 minutave lojë
Formacionet
TEUTA: A. Dashi, J. Dashi, Medenica, Renovica, Myftari, Pepaj, Kolea, Vora, Nazifi, Liti, Moku, Bardhi. Trajner: H. Nakovski
STUDENTI: Tuksferi, Prziç, Zoloto, Kasa, Rashketa, Dragoi, Gorenxa, Memia, Cali, Janllari, Rama, Gaxiri. Trajner: Y. Tomori
GJYQTARË: E. Mujo, E. Preka