Kanë kaluar tashmë 5 vjet nga humbja tragjike e jetës së volejbollistit 25- vjeçar të Teutës, Juxhin Guza, i vrarë me thikë nga persona ende të paidentifikuar. Këshilli Bashkiak i Durrësit vendos që një rrugë në qytetin bregdetar, të mbajë emrin e tij. Në mbledhjen e Këshillit që pritet të zhvillohet sot në mbrëmje, një pikë e rendit të ditës ka të bëjë pikërisht me këtë çështje: “Për miratimin e ndryshimit të VKB nr. 181 datë 26.10.2009 “Për miratimin e emërtimeve të reja të shesheve, shëtitoreve dhe rrugëve në qytetin e Durrësit” të ndryshuar, për ndryshimin e emrit të rrugës nga “Mbreti Mytil” në “Juxhin Guza”.
Ngjarja:
Mbrëmjen e 13 Shtatorit të vitit 2011, persona ende të paidentifikuar qëlluan me thikë volejbollistin, duke i shkaktuar plagë të rënda. Djali i vetëm i familjes Guza, ishte duke hyrë në banesë pas stërvitjes, kur u sulmua nga persona ende të paidentifikuar të cilët e qëlluan me thikë në kofshë duke i prekur venën femorale. Juxhin Guza u qëllua me thikë në hyrje të pallatit ku banonte, në lagjen numër 5 të Durrësit dhe pas 18 orë luftë me vdekjen, në spitalin e qytetit ai humbi jetën. Policia e Durrësit u angazhua për ditë me radhë në gjetjen e motivit të vrasjes dhe identifikimin e autorëve, të cilët sipas të afërmve kanë qenë 2 persona, por deri tani nuk është hedhur dritë mbi këtë çështje. Në këtë stituatë policia e Durrësit ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për zbardhur vrasjen, ndërsa në dispozicion të informacionit vuri 30 mijë Euro.
Për nder të volejbollistit të vrarë, kupa e Federatës quhet kupa Juxhin Guza.
Rendi i ditës në Këshillin Bashkiak:
Ditën e enjte datë 28/07/2016, ora 18:00, në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak prane Bashkisë Durrës zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak.
Rendi i ditës do të jetë:
Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB nr. 302, datë 01.12.2015 “Për sistemin e Taksave dhe Tarifave vendore në qytetin e Durrësit” të ndryshuar
Për miratimin e fondit 32’396’081 lekë për përballimin e efekteve financiare që rrjedhin nga zbatimi i V.K.M nr.165 datë 02.03.2016 “Për grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativëtë njësive të vetëqeverisjes vendore”
Për miratimin e vlerës financiare të shpronësimit 13’455’300 lekë për pasuritë pronë private me nr.24/351 dhe nr.24/525 ZK8512 që preken nga investimi “Ndërtim sheshi publik para hyrjes së Portit Detar Durrës”
Për miratimin e fondit me vlerë totale 537.699 lekë për kryerjen e punimeve me objekt “Riparim të nyjeve hidrosanitare të Çerdhes nr.3”, mbikqyrjen e punimeve dhe kolaudimin e objektit çerdhe nr. 3 Durrës.
Për miratimin e fondit prej 450.000 lekë për blerjen e një paisje për pastrimin e Pishinës ”Taq Dafa” të Qytetit të Durrësit.
Për miratimin e përdorimit të fondit të financuar nga IZUM (Instituti i Shkencave te Informacionit te Republikes Sllovene) sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me Bibliotekën Publike Durrës në shumën 234’361 lekë.
Për dhënien e miratimit në parim për mirëmbajtjen e projektit: ”MODERNIZIMI I SHËRBIMIT TË INFORMIMIT TË QYTETARËVE NËPËRMJET DIXHITALIZIMIT TË TË DHËNAVE GJEOHAPËSINORE TË TITUJVE TË PRONËSISE DHE BIZNESEVE TË BASHKISË DURRËS” qe i çel rrugën vazhdimit të procedurave të prokurimit.
Për dhënien në përdorim, pa kundërshpërblim, Fondacionit "Save the Children" dhe Organizatës “Ndihmoni Jetën”, të ambjentit me sipërfaqe të përgjithshme 243 m2, që ndodhet në katin përdhes të ndertesës me emërtimin apartamente sociale, me vendodhje në lagjen nr. 17, rruga "Dalip Peza", për një afat kohor deri më datë 31 dhjetor 2018
Për miratimin e ndryshimit të VKB nr. 181 datë 26.10.2009 “Për miratimin e emërtimeve të reja të shesheve, shëtitoreve dhe rrugëve në qytetin e Durrësit” të ndryshuar, për ndryshimin e emrit të rrugës nga “Mbreti Mytil” në “Juxhin Guza”.
Për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z.Khalaf Ahmad Al-Habtoor.
K.H.





