Shoqata e Bashkive dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën mbi votimet e 30 qershorit të cilat kjo bashkitë e djatha i konsiderojnë si antikushtetuese.

Në një prononcim për mediat, në cilësinë e kryetares së Shoqatës, kryebashkiakia e Shkodrës, Voltana Ademi tha se në Kushtetuese kërkojnë konstatimin si antikushtetues për procesin e 30 qershorit si edhe të regjistrimit të partisë Bindja Demokratike.

"Ne sot kemi referuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën me objekt konstatimin anti kushtetues të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe verifikimin e ligjshmërisë së regjistrimit të Bindjes Demokratike. Jemi këtu duke iu referuar një të drejte kushtetuese për të zbatuar kushtetutën. Dekreti i presidentit duhet të merret në konsideratë. Në momentin që kjo gjykatë të jetë në punë të mund të fillojmë menjëherë gjykimin e kësaj çështjeje. Shpresojmë që Edi Rama të mos pengojë ngritjen e kësaj gjykate dhe të mos fusë duart në emërimet e saj. Ne po veprojmë në mënyrë institucionale, duke iu drejtuar institucioneve të drejtësisë që të përdorim atë që është një e drejtë e jona. Kjo është rruga që po ndjekim. Shpresojmë që organet e drejtësisë do të funksionojnë. Ajo që ne dimë është se kemi gjykata që kanë vepruar në mënyrë të ndryshme dhe kjo ngre një pikëpyetje të madhe e cila do çojë drejt një kaosi që do dojë një shpjegim se çfarë ka ndodhur", tha Ademi.