Partia Socialiste e Shkodrës zhvilloi një mbledhje nën drejtimin e të deleguarit Arben Pëllumbi, në fokus të së cilës ishte riorganizimi i degës.

Mbledhja është shoqëruar me debate të forta, mes anëtarëve të kryesisë, të cilët i kërkojnë Partisë në qendër të ndërmarrë të gjitha procedurat për të pasur zgjedhje të tjera në Shkodër, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit.

“Situata në Bashkinë e Shkodrës duhet të marrë një zgjidhje nga Presidenti i Republikës, i cili duhet tashmë të caktojë një datë për zgjedhje të pjesshme në Bashkinë e Shkodrës. Mundësi tjetër nuk ka”, thonë anëtarë të kryesisë së PS në kët bashki. PS e Shkodrës kërkon që pas skadimit të datës 13 tetor, ku nuk pati zgjedhje Presidentit t’i kërkohet një datë e re.

Një pjesë nga deklarata e Kryesisë së PS, dega Shkodër:

“Në lidhje me deklaratat e Zotit Basha ato janë deklarata tashmë të përsëritura, edhe pse në vetëvete përbëjnë një hap përpara në ç’tensionimin e situatës e cila u tensionua në mënyrë krejtësisht artificiale. Për këtë arsye ne jemi një dorë e shtrirë për të bashkëpunuar me opozitën, por ky bashkëpunim kalon nëpërmjet një komisioni që është Komisioni për Reformën Zgjedhore.

Ne nuk mund të kemi një palë zgjedhje, qofshin këto edhe të 2021-shit, në qoftë se nuk materializojmë në Kodin Zgjedhor, ndryshimet që janë kërkuar të paktën nga OSBE-ODIHR, pastaj edhe ndryshimet që kërkojmë ne vetë si forca politike.

Rruga në të cilën kalojnë këto ndryshime është e pa diskutuar që kalon nëpërmjet komisionit kuvendor dhe do të aprovohet në Kuvendin e Shqipërisë nga ata deputetë që janë sot në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk ka një rrugë tjetër.

E dyta Zoti Basha dhe e gjitha opozita që doli nga sistemi ndërmorën një akt ekstrem, i cili rezultoi i dështuar. Në fillim duhet të reflektojnë një lloj mea-culpa për atë që bënë. Pastaj të heqin ultimatumet dhe lëvizjen e zotit Basha këtë radhë e shikoj pikërisht, si një largim ndoshta nga ultimatumet. Por, që të kalojmë në zgjedhje, çfardo lloj zgjedhjesh që të jenë ato. Ne kemi nevojë për një kod të ri zgjedhor. Pa e bërë kodin e ri zgjedhor dhe pa instaluar kulturën që humbësi t’i japë dorën fituesit, dhe ta lejojë fituesin të bëjë qeverisjen e tij në katër vitet që vijnë, për sa kohë do ketë maxhoranca në parlament apo mbështetjen në elektorat, ne nuk do të mbërrijmë ndonjë gjë.

Ne kemi bërë shumë palë zgjedhje, të gjithë i dimë problematikat e zgjedhjeve tona, nuk na i ka bërë as sistemi, as kodi, na i ka bërë mënyra se si ne e zbatojmë dhe si ne sillemi sidomos në raport me të nesërmen e ditës së zgjedhjeve.

Me vendim të Kryesisë së Partisë Socialiste është shkrirë struktura drejtuese e PS-së në Shkodër. Ky grup që kishim sot zëvendëson pikërisht mungesën e atyre strukturave drejtuese të partisë për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e zgjedhjeve në PS. Në të gjitha bashkitë e vendit këtë proces e menaxhon kryetari i partisë së bashkisë së bashku me Asamblenë Socialiste.

Në Shkodër meqenëse nuk i kemi këto struktura kemi këtë grup nismëtar koordinatorësh dhe stafet që ata kanë zgjedhur pikërisht për të menaxhuar të gjithë kalendarin e zgjedhjeve në PS, përfshi edhe Bashkinë e Shkodrës.