Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Mali i Zi është shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vendin si “shembull të përparimit të qëndrueshëm në rajon”.
Gjatë konferencës së parë të investimeve BE–Mali i Zi të mbajtur në Lushtica, ajo theksoi se Podgorica ka bërë hapa të dukshëm në procesin e integrimit dhe se ka ardhur koha për të investuar në të ardhmen evropiane të vendit.
“Shefja e Komisionit Evropian vlerësoi ambicien e qeverisë malazeze, por kërkoi përshpejtim të reformave në sundimin e ligjit, transparencën në prokurimet publike dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë,
Nga ana e tij, kryeministri Millojko Spajic e përshkroi Bashkimin Evropian si partnerin më të rëndësishëm strategjik të Malit të Zi, duke theksuar se vendi po hyn në një fazë të re zhvillimi ekonomik.
“Presim një cikël investimesh prej mbi 3 miliardë eurosh. Mali i Zi është i hapur për biznes dhe gati për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2028,” deklaroi Spajiq.
Von der Leyen vlerësoi gjithashtu përafrimin e plotë të politikës së jashtme të Malit të Zi me atë të BE-së, sidomos në qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë.
“Çdo vend duhet të zgjedhë anën e tij – dhe Mali i Zi e ka bërë këtë zgjedhje qartë, krah Evropës,” theksoi ajo.
Presidentja e KE-së njoftoi se Podgorica do të përfitojë 8 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe se nga viti i ardhshëm do të hiqet roaming-u mes Malit të Zi dhe vendeve të BE-së.
Sipas njoftimeve zyrtare, raporti i ri i progresit për Malin e Zi do të publikohet më 4 nëntor, duke vlerësuar përparimin në sundimin e ligjit, demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit.
Deri tani, vendi ka mbyllur 7 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa Brukseli e konsideron Malin e Zi si kandidatin më të avancuar të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtari i radhës i familjes evropiane.





